Monday, July 4, 2022

Sanksione të Reja nga SHBA Kundër Iranit për Abuzimet me të Drejtat e Njeriut

 Thesari i SHBA ka goditur burgun famëkeq Evin të Iranit si dhe grupin terrorist Ansar-e Hezbollah me sanksione të reja për “abuzime të rënda me të drejtat e njeriut” kundër disidentëve politikë.

Të mërkurën, Sekretari i Thesarit Steven T Mnuchin tha që këto sanksione, të cilat u janë aplikuar edhe gjashtë individëve dhe një agjensie të teknologjisë së komunikacionit, janë të lidhura specifikisht me rolet që këta njerëz/entitete kanë luajtur në “shtypjen brutale” të protestuesve gjatë kryengritjes së vazhdueshme anti-regjim në Iran.

Burgu Evin

Burgu Evin, që ndodhet në Teheranin verior, është i mbushur me të burgosur të ndërgjegjes, disidentë politikë dhe iranianë me shtetësi të dyfishtë të akuzuar për komplotim kundër qeverisë, të cilët po mbahen peng nga mullahët, si mbrojtësi i mjedisit Seyed Emami, që vdiq në rrethana të dyshimta në shkurt, dhe punonjësja britanike e bamirësisë Nazanin Zaghari-Ratcliffe, që është mbajtur e burgosur për më shumë se dy vjet.

SHBA ka thënë se disa godina në Evin kontrollohen nga Ministria e Inteligjencës dhe Garda Revolucionare. Rojat atje i torturojnë vazhdimisht të burgosurit, ndonjëherë deri në vdekje.

Mnuchin ka thënë: “Ata që e ngrenë zërin kundër keqmenaxhimit dhe korrupsionit të regjimit i nënshtrohen abuzimit dhe keqtrajtimit në burgjet e Iranit.”

Ansar-e Hezbollah

Ky grup paraushtarak është përfshirë “në shtypjen e dhunshme të qytetarëve Iranianë” dhe ka punuar për njësinë Basij të Gardës Revolucionare për të sulmuar studentët protestues me “thika, gaz lotsjellës dhe me shkopinj elektrikë”.

Tre nga zyrtarët e tyre kanë qenë gjithashtu të implikuar në një “sulm bande” të konsullatës së Arabisë Saudite, së bashku me Hamid Ostad, lider lokal në Mashhad.

Individët

Abdol-ali Ali-Asgari, presidenti i agjensisë shtetërore të transmetimit të Iranit IRIB, u sanksionua për mbështetje të censurës së Regjimit. IRIB ka qenë e sanksionuar që nga 2013.

Mnuchin ka thënë: “Regjimi iranian ua ndërron drejtimin burimeve kombëtare që duhet t’i përkasin popullit, për të financuar një aparat masiv dhe të shtrenjtë censure dhe për të shtypur fjalën e lirë.”

Sanksione iu vunë gjithashtu edhe dy individëve të lidhur me Hanista, një grup i teknologjisë së komunikacionit, i cili ka nxjerrë aplikacione mesazhesh të cilat Regjimi ka shumë mundësi t’i përdorë për të spiunuar popullin iranian.

Asnjë individ i sanksionuar nuk do të ketë mundësi të bëjë biznes me askënd në SHBA, do të bllokohet nga sektori financiar i SHBA, dhe çdo aset që mban në SHBA do ta ketë të ngrirë.

Kjo shtytje për sanksione më të rënda ka ardhur menjëherë mbas vendimit të Donald Trump për ta nxjerrë SHBA-në jashtë marrëveshjes bërthamore të Iranit. Javën e shkuar, u vunë sanksione edhe kundër një kompanie ajrore e cila transporton vazhdimisht Presidentin iranian Hassan Rouhani dhe zyrtarë të lartë në bankën qendrore të Iranit.