Tuesday, March 19, 2024

Të Paktën 25 Gra Janë Vrarë në Protestat e Iranit nga Regjimi

Foto të disa prej heroinave e heronjve të rënë në Protestat e Iranit-nëntor 2019

Të paktën 25 gra janë vrarë nga regjimi iranian gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit të cilat shpërthyen më 15 nëntor.

Grupi kryesor opozitar, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur gjithashtu si Mujahedin-e-Khalq (MEK), ka publikuar emrat e 400 protestuesve nga mbi 1000 që janë vrarë nga forcat e sigurisë së regjimit.

Massoumeh Darabpour ishte martirja e njëzet e pestë femër e kryengritjes, e identifikuar në listën e re me emrat e 30 martirëve të verifikuar nga MEK.

Darabpour u vra gjatë protestave iraniane në Ahvaz, sipas Komitetit të Grave të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI).  

Mbi 4,000 persona janë plagosur gjatë protestave të Iranit, dhe mbi 12,000 persona janë arrestuar. Vala e arrestimeve arbitrare vazhdon në mbarë Iranin.

Komiteti i Grave i NCRI-së raporton se më 6 dhjetor 2019, një grua me emrin Nadia Sobhani, 25 vjeç, është arrestuar nga Ministria e Inteligjencës në Javanrud, Kermanshah. Ajo është akuzuar për filmim të protestave. Familja Sobhani nuk ia ka dalë të marrë asnjë informacion mbi fatin e vajzës së tyre. 

Në një konferencë për shtyp më 5 dhjetor 2019, Brian Hook, Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Iranin, pohoi se numri i vdekjeve në protestat e fundit në Iran mund të ketë shkuar mbi 1,000. Ai shtoi se trajtimi popullit iranain nga regjimi është i përçmueshëm dhe i papranueshëm. 

Hook tha, “Duket se regjimi mund të ketë vrarë mbi një mijë qytetarë iranianë që nga fillimi i protestave. Nuk mund të jemi të sigurtë sepse regjimi i bllokon informacionet.  Mes të vrarëve janë të paktën një duzinë fëmijë, duke përfshirë  13 e 14 vjeçarë.  Kemi marrë raporte nga familjarët e viktimave që janë përpjekur t’i marrin trupat. Autoritetet u kanë kërkuar familjarëve që më parë të paguajnë koston e plumbave të përdorur. Në shumë raste, autoritetet nuk i kanë dorëzuar trupat pa marrë premtimin nga familja se nuk do të bënte ceremoni publike varrimi.” 

“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve që janë në burg, si dhe të të gjithë të burgosurve politikë që mbahen aktualisht nga regjimi,” shtoi Ambasadori Hook.