Thursday, March 28, 2024

Varen dy të burgosur në burgun Adelabad në Shiraz

Dy të burgosur janë varur mëngjesin e së mërkurës, më 12 shkurt 2020, në burgun Adelabad në Shiraz.

Këta dy të burgosur ishin dënuar për vrasje dhe përdhunim.

Hadi Mahi dhe Sadeq Akbarpour ishin arrestuar në 2016-ën dhe më pas ishin dënuar me vdekje. Gjatë gjithë kohës janë mbajtur në burgun Adelabad.

Lajmi i varjes së këtyre dy të burgosurve nuk është shpallur nga mediat shtetërore.

Përdorimi i qëllimshëm i dënimit me vdekje në Iran ka qenë burim i vazhdueshëm i zemërimit dhe kritikave ndërkombëtare. Sipas disa organeve të pavarura ndërkombëtare, duke përfshirë Raportuesin Special të OKB-së mbi të Drejtat Njerëzore në Iran dhe Amnesty International, Irani është në majë të listës për sa i përket ekzekutimeve per kapita, dhe vjen i dyti pas Kinës, sipas shifrave. Irani kryeson gjithashtu në numrin e ekzekutimeve të minorenëve dhe kundërvajtësve të rinj.

Rreth 3,800 persona, duke përfshirë dhjetëra të mitur dhe 105 gra, janë ekzekutuar gjatë presidencës së Hassan Rouhani-t.

Monitoruesi i të Drejtave Njerëzore në Iran ka regjistruar ekzekutimet e të paktën 273 individëve në 2019-ën.

Të ekzekutuarit përfshijnë të paktën gjashtë të burgosur politikë, nëntë kundërvajtës të rinj dhe 16 gra. Të paktën 13 ekzekutime janë kryer në publik.

Regjimi iranian e përdor ekzekutimin si vegël për ta shtypur dhe heshtur publikun e zemëruar, pjesa më e madhe e të cilit jeton nën pragun e varfërisë, është e papunësuar dhe e privuar nga liria e shprehjes.

Në mars 2019, lideri suprem i regjimit Ali Khamenei caktoi si kryegjyqtar një gjykatës famëkeq përgjegjës për ekzekutime masive, në mënyrë që ta mbante nën kontroll shoqërinë.

Që kur Ebrahim Raisi, i cili ka marrë pjesë në “komisionet e vdekjes” që jepnin urdhrat për masakrën e 1988-ës ndaj mijëra të burgosurve, e mori këtë detyrë, të paktën 173 njerëz janë ekzekutuar në Iran.

Më 5 mars 2019, zëvendës zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Palladino, e kritikoi rëndë emërimin e Raisi-t në krye të gjyqësisë së plotfuqishme të Iranit, duke e quajtur këtë gjë një “turp” dhe një “tallje me procesin ligjor” pasi Raisi është përgjegjës për vdekjen e mijëra të burgosurve politikë në vitet 1980, duke përfshirë masakrën e 1988-ës.