Thursday, July 9, 2020

Zyrtarët Amerikanë Thonë se Regjimi Iranian Mund të Jetë Duke Marrë në Shënjestër Trupat Amerikane në Irak – NYT

Nga një Shkrimtar i Stafit

Zyrtarë të lartë amerikanë thanë të hënën se dërgimi i papritur i një grupi sulmi me aeroplanmbajtëse dhe i bombarduesve të Forcave Ajrore në Gjirin Persik u bë për shkak të një kërcënim të ri nga regjimi iranian kundër trupave të Shteteve të Bashkuara në Irak, raporton New York Times.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni e morën vendimin pasi panë informatat që tregonin veprimtari të reja nga ana e forcave të lidhura me Iranin që të premten, thanë dy zyrtarë të lartë të cilët kanë folur për New York Times me kusht që të mbeten anonim.

Gjithashtu, njëri prej zyrtarëve vuri në dukje ekzistencën e shqetësimeve të reja në rrugët ujore ku operojnë forcat detare iraniane.

Lëvizja e re e forcave ushtarake amerikane u shpall nga John R. Bolton, këshilltari i sigurisë kombëtare, mbrëmjen e së dielës.

Dërgimi i aeroplanmbajtëses U.S.S. Abraham Lincoln kishte për qëllim “t’i dërgonte regjimit iranian një mesazh të qartë e të pagabueshëm se çdo sulm ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara apo ndaj atyre të aleatëve tanë do të përballet me forcë të paepur,” tha z. Bolton në një deklaratë.

Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë luftë me regjimin iranian, por jemi plotësisht të përgatitur t’i përgjigjemi çdo sulmi, qoftë nga proksit, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike apo nga forcat e rregullta iraniane.”

Dy zyrtarët e lartë amerikanë thanë se informatat e reja ngrenë shqetësime për Gardën Revolucionare dhe veprimtaritë e saj në Irak.

Muajin e shkuar, administrata Trump e etiketoi Gardën Revolucionare (IRGC) si organizatë terroriste. Kjo masë mbart penalitete ekonomike dhe kufizime udhëtimi ndaj anëtarëve të grupit dhe ndaj kujtdo tjetër që bashkëpunon me të.

Të martën, Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani firmosi miratimin e një projektligji që i deklaron të gjitha trupat amerikane në Lindjen e Mesme si terroriste dhe e quajti qeverinë e Shteteve të Bashkuara si sponsor shtetëror të terrorizmit.

Senatori Marco Rubio, një republikan nga Florida dhe anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, dha një paralajmërim të rreptë mëngjesin e së hënës për militantët dhe Gardën Revolucionare.

“Nuk do të bëjmë dallime midis sulmeve nga militantët Shia në #Iraq dhe #IRGC-së që i kontrollon ata,” shkroi ai në Twitter. “Çdo sulm nga këto grupe kundër forcave amerikane do të konsiderohet si sulm nga #Irani & do të marrë përgjigjen e duhur.”

  1. Pompeo, mbrëmjen e së dielës gjatë një fluturimi për në Finlandë, u tha reporterëve se ka shenja të një kërcënimi në rritje nga regjimi iranian.

“Është absolutisht e vërtetë që kemi parë veprime përshkallëzuese nga ana e iranianëve, dhe është gjithashtu e vërtetë që do t’i vëmë iranianët përpara përgjegjësisë për sulmet ndaj interesave amerikane,” tha ai. “Fakti që këto veprime kryhen, nëse kryhen, nga ndonjë proksi e palës së tretë, qoftë nga një grup militant Shia apo nga Houthit apo Hezbollah, përgjegjësinë direkte do t’ua vëmë iranianëve — udhëheqjes iraniane.”

Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes tha se kërkesa për ta dërguar grupin e aeroplanmbajtëses në rajon u bë të dielën nga Gjenerali Kenneth McKenzie, kreu i ri i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, pasi kishte parë informatat e reja që tregonin për një ndryshim në sjellje i cili mund të interpretohet si diçka që do t’i paraprijë një sulmi ndaj forcave apo interesave amerikane, raporton New York Times.