• English
  • French
  • Deutch
  • Italian
  • Arab
  • Spanish
  • Albanian
  • Last Modified: Enjte 21 Nentor 2019, 19:22:51.
  • English
  • French
  • Deutch
  • Italian
  • Arab
  • Spanish
  • Albanian

Terroristët Pranojnë se Kanë Spiunuar mbi MEK-un në Territorin Amerikan për Regjimin Iranian

Shkruar nga Shahriar Kia më 06 nëntor 2019.

Dy agjentë të regjimit iranian të arrestuar vitin e shkuar në Shtetet e Bashkuara për spiunazh mbi anëtarë të opozitës iraniane Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), ose Mujahedin-e Khalq (MEK), i kanë pranuar akuzat kundër tyre, shpalli të martën, më 5 nëntor 2019, Departamenti amerikan i Drejtësisë (DOJ).

Në një deklaratë, Departamenti i Drejtësisë thotë: "Ahmadreza Mohammadi-Doostdar, 39 vjeç, shtetas i dyfishtë amerikano-iranian, dhe Majid Ghorbani, 60 vjeç, shtetas iranian dhe banues në Kaliforni, i pranuan dje akuzat për kryerje të survejimit e mbledhje të informatave identifikuese për shtetas amerikanë të cilët janë anëtarë të grupit disident iranian Mujahedin-e Khalq (MEK)." 

Dy agjentët e Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) janë arrestuar më 9 gusht 2018 në SHBA. 

Më 8 tetor 2019, Doostdar pranoi se kishte vepruar si agjent i Qeverisë së Iranit pa njoftuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe se kishte patur në plan ta shkelte këtë statut.  Më 4 nëntor 2019, Ghorbani pranoi se kishte shkelur Aktin Ndërkombëtar të Emergjencës të Fuqive Ekonomike si dhe Rregullat për Transaksionet dhe Sanksionet Iraniane. 

“Qeveria iraniane mendonte se mund të kalonte pa u ndëshkuar për kryerjen e survejimit mbi individë në Shtetet e Bashkuara duke dërguar një prej agjentëve të saj këtu për t’i dhënë si detyrë një banori të përhershëm që ta kryente atë survejim e të mblidhte informatat,” tha Jessie K. Liu, Prokuror i Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Kolumbias. “Ky rast thekson përpjekjet tona për të ndjekur ata persona që vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe për të mos i lejuar qeveritë e huaja të marrin në shënjestër persona amerikanë.” 

“Këta individë e kanë pranuar se kanë shkelur ligjin dhe se kanë vepruar në interes të qeverisë së Iranit duke mbledhur informata mbi veprimtaritë e disidentëve iranianë në vendin tonë. Veprimet e FBI-së në këtë rast ilustrojnë faktin se sa seriozisht e kemi marrë misionin tonë të mbrojtjes së popullit amerikan dhe të Kushtetutës,” tha Ndihmës Drejtori Ekzekutiv Jay Tabb i Degës së FBI-së për Sigurinë Kombëtare. “FBI do të vazhdojë t’i hetojë në mënyrë agresive veprimtaritë e paligjshme që kërcënojnë qytetarët tanë dhe të drejtat e tyre të mbrojtura nga Kushtetuta, dhe nuk do të tolerojmë asnjë veprimtari të tillë të kryer nga qeveria e Iranit apo agjentët e saj.” 

Si pjesë të rrëfimit të tij, Doostdar pranoi nën betim se ka udhëtuar në SHBA nga Irani tre herë për t’u takuar me Ghorbani-n dhe për t’i dhënë atij udhëzime mbi veprimtaritë që duhej të kryente në interes të qeverisë së Iranit. Përpara udhëtimit të parë të Doostdar për në Shtetet e Bashkuara, trajnuesi i tij me Qeverinë e Iranit e kishte identifikuar Ghorbani-n me emër, i kishte treguar Doostdar-it një foto të Ghorbani-t, dhe i kishte thënë se ku punonte Ghorbani, sipas Departamentit të Drejtësisë.  

Gjatë udhëtimit të parë të Doostdar në Shtetet e Bashkuara në korrik 2017, Doostdar ishte takuar me Ghorbani-n në vendin ku ai punonte. Doostdar pranoi se gjatë një bisede të mëpasshme, Ghorbani i kishte thënë Doostdar-it se ishte i gatshëm të punonte për Qeverinë e Iranit në Shtetet e Bashkuara. 

Më 20 shtator 2017, Ghorbani mori pjesë në një tubim të MEK në New York City, sipas Departamentit të Drejtësisë. Tubimi konsistonte në veprimtari të mbrojtur nga Kushtetuta, ku përfshiheshin shtetas amerikanë që kritikonin regjimin iranian. Në këtë tubim, Ghorbani fotografoi disa pjesëmarrës, përfshirë liderë të MEK-ut, shton deklarata e Departamentit të Drejtësisë. 

Gjatë udhëtimit të dytë të Doostdar për në Shtetet e Bashkuara, si pjesë të komplotit, në dhjetor 2017, Doostdar u takua me Ghorbani-n dhe mori nga ai fotot e tubimit. Në këto foto shfaqeshin liderë të MEK-ut, dhe fotot përmbanin shënime të shkruara me dorë ku identifikoheshin individët dhe listoheshin pozicionet e tyre në organizatë. Ghorbani dhe Doostdar kishin diskutuar gjithashtu udhëtimin e planifikuar të Ghorbani-t për në Iran në mars 2018, dhe Ghorbani kishte ofruar që të ishte vetë prezent për të dhënë informacione mbi pjesëmarrësit e tubimit gjatë këtij udhëtimi.  Nën betim, Ghorbani e pranoi se kishte marrë pjesë në tubimin e MEK në shtator 2017 dhe se kishte fotografuar e mbledhur informata mbi pjesëmarrësit në këtë tubim, informata që do t’i shkonin Doostdar-it dhe më pas individëve në Iran.  

Në dhjetor 2017, Doostdar u nis nga Shtetet e Bashkuara për në Iran duke marrë me vete fotot dhe shënimet e shkruara me dorë nga Ghorbani. Doostdar e pagoi Ghorbani-n 2,000 dollarë për punën e tij, para që, siç pranoi Doostdar, ishin dhënë nga trajnuesi i Doostdar-it nga Qeveria e Iranit, thotë Departamenti i Drejtësisë. 

Në maj 2018, Ghorbani shkoi në një tubim tjetër të MEK në Uashington, D.C., ku përsëri mblodhi informata mbi pjesëmarrësit që e kritikonin regjimin iranian. Pas atij tubimi, Doostdar pranoi se ai dhe Ghorbani kishin folur në telefon dhe kishin diskutuar metodat që Ghorbani mund të përdorte për t’ia dhënë Doostdar-it në Iran informatat e mbledhura në tubim. Doostdar pranoi më tej se gjatë udhëtimit të tij për në Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë Ghorbani-t detyrën e mbledhjes së informatave mbi persona amerikanë në interes të regjimit iranian, ai kishte komunikuar me trajnuesin e tij nga Qeveria e Iranit përmes një komplotuesi tjetër. Trajnuesi i Doostdar-it i jepte udhëzime dhe nxitje, dhe u përgjigjej pyetjeve të Doostdar-it lidhur me misionin e tij në Shtetet e Bashkuara. 

Doostdar do ta marrë dënimin më 17 dhjetor 2019 përpara të Nderuarit Paul L. Friedman të Gjykatës së Distriktit të Kolumbias. Ghorbani do të dënohet përpara Gjykatësit Friedman më 15 janar 2020. 

Dënimi maksimal për konspiracion është pesë vite; dënimi maksimal për të vepruarit si agjent i një fuqie të huaj është 10 vite; ndërsa dënimi maksimal për shkeljen e Aktit Ndërkombëtar të Emergjencës të Fuqive Ekonomike është 20 vite.   

Hetimi i kësaj çështjeje është kryer nga Zyra e Terrenit e Uashingtonit dhe Zyra e Terrenit e Los Angeles e FBI-së. Çështja po ndiqet nga Seksioni i Sigurisë Kombëtare i Prokurorisë së SHBA-së për Distriktin e Kolumbias dhe nga Seksioni i Kundërinteligjencës dhe Kontrollit të Eksportit i Divizionit të Sigurisë Kombëtare të Departamentit të Drejtësisë.

NCRI ka thënë më 21 gusht 2018: "Rezistenca Iraniane e përsërit edhe një herë nevojën për t’i ndjekur penalisht dhe përjashtuar të gjithë agjentët e Ministrisë së Inteligjencë dhe Forcave Quds të regjimit, si dhe të gjithë agjentët e mercenarët e njohur e të fshehtë të cilët merren me komplotet e regjimit në SHBA dhe Europë. Këta agjentë e mercenarë e kanë përdorur politikën mbizotëruese të paqësimit të viteve të mëparshme për të përfituar maska e tituj të ndryshëm në SHBA dhe Europë, nëpërmjet të cilave ata mund të ndjekin komplotet e liga të regjimit." 

Stampa Email

Copyright © 2018 NCRI - National Council of Resistance of Iran. All Rights Reserved.