Monday, July 4, 2022

Zgjedhjet në Iran 2021: Nevoja e Khamenei-t për të Krijuar një Regjim Unipolar dhe Pasojat e Saj

 

Për ta konsoliduar regjimin, Lideri Suprem Ali Khamenei ka përdorur Këshillin e Gardianëve për të skualifikuar shumicën e kandidatëve të farsës së zgjedhjeve presidenciale të Iranit. Të eliminuarit nga kjo farsë nuk ishin vetëm nga fraksioni rival. Këshilli i Gardianëve skualifikoi madje edhe Ali Larijani-n, një nga personat më të afërt të Khamenei-t, që ka qenë kryetar i parlamentit të regjimit për tre mandate rresht.

Pas vendimit të Këshillit të Gardianëve për të eliminuar të gjithë kandidatët, grindjet e brendshme të regjimit janë intensifikuar. Kështu, mund të thuhet se Khamenei ia ka bërë gropën vetes duke skualifikuar personat besnikë ndaj tij dhe regjimit.

“Përqasja aktuale tregon tendencën drejt një unifikimi të plotë të sistemit. Problemet ekzistuese, sidomos kriza ekonomike e vendit, janë tepër të mëdha për t’u menaxhuar nga një fraksion apo grup i vetëm politik,” shkruante të shtunën shtetërorja Jomhuri-e Eslami.

Khamenei është plotësisht i vetëdijshëm për pasojat e vendimit për të ndjekur një politikë tkurrjeje. Por ai nuk ka zgjedhje tjetër pasi regjimi po përballet me një shoqëri të trazuar.

Siç e pohon edhe editoriali i të shtunës i Jomhuri-e Eslami, “Problemi i vendit nuk është vetëm kriza ekonomike. Krizat kulturore, shoqërore, madje edhe politike, nuk janë më pak të rrezikshme sesa krizat ekonomike, për të mos thënë që janë edhe më serioze e të rrezikshme. Këto kriza nuk janë të dukshme pasi problemi i vërtetë ekonomik në jetën e përditshme të popullit nuk i ka lejuar ato të dalin në sipërfaqe. Elitat dhe ekspertët kulturorë, shoqërorë, dhe politikë, sidomos sociologët, janë plotësisht të vetëdijshëm për kët fakt dhe për rreziqet e këtyre krizave.”

Por a do t’ia dalë Khamenei ta bëjë regjimin e tij unipolar?

Khamenei është përpjekur shumë herë në të shkuarën ta unipolarizojë regjimin e tij por ka parë rezultatin e kundërt. Për shembull, në 2009-ën, Khamenei sakrifikoi shumë për të bërë të mundur fitoren e Mahmoud Ahmadinejad. Por Ahmadinejad nisi të mos i bindej Khamenei-t në shumë raste.

Në përpjekjen më të fundit për ta unifikuar regjimin, Khamenei nuk e lejoi Larijani-n të merrte pjesë në farsën e zgjedhjeve. Ngaqë Larijani kishte mbështetjen e një numri mullahësh e klerikësh Shi’ite në Qom, eliminimi i tij i ka intensifikuar grindjet e brendshme të regjimit.

“Për shkak të skualifikimit të shumë kandidatëve presidencialë, të gjithë e dinë që këto zgjedhje do të jenë jo profesionale, pa konkurencë, dhe do të kenë një pjesëmarrje të ulët votuesish,” tha në një deklaratë të mërkurën Shoqata e Mësuesve të Seminareve në Qom.

Për sa i përket shoqërisë së trazuar të Iranit, manovrat e Khamenei-t nuk do të funksionojnë. “Kushtet e pafavorshme të vendit sot janë rezultat i kontradiktave të brendshme në qeverisje. Nëse përpiqemi të fajsojmë vetëm një person apo një fraksion, gënjejmë veten. Vazhdimi i këtyre kontradiktave, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, do ta paralizojë [regjimin], dhe do të na kushtojë shtrenjt të gjithëve,” shkruan Jomhuri-e Eslami lidhur me këtë.

Kështu, veprimet e fundit të Khamenei-t vetëm sa do t’i shtojnë edhe më shumë grindjet e brendshme të regjimit, për arsye se fraksioni rival do të bëjë ç’të jetë e mundur për t’i ruajtur pozicionet dhe mundësitë e tij për plaçkitjen e pasurisë kombëtare.

Khamenei e ka humbur pozicionin e tij trans-fraksional, dhe do të bëhet shënjestër e akuzave të fraksionit rival.

Gjithashtu, Khamenei vetë i ka hequr barrierat midis tij dhe popullit dhe e ka vënë veten direkt në shënjestrën e shoqërisë së trazuar.

Me Ebrahim Raisi-n si president, regjimi do të përballet pa dyshim me një izolim edhe më të madh ndërkombëtar, dhe shpresa e fundit për ringjalljen e politikës së paqësimit do t’i venitet. Kjo sepse dialogu me një kriminel si Raisi, i cili është i përfshirë në listat e zeza për shkelje të të drejtave njerëzore dhe ka luajtur rol kyç në masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë, kushton shtrenjt.

 

Si pjesë të politikës së tkurrjes, Khamenei-t do t’i duhet ta rrisë eksportin e terrorizmit. Roli i tij në intensifikimin e konfliktit në Gaza është shembull i kësaj nevoje për ta eksportuar terrorizmin dhe kaosin jashtë vendit. Për t’i financuar veprimtaritë e jashtëligjshme të regjimit të tij, ai duhet të plaçkitë pasurinë e popullit.

Njëkohësisht me shtimin e plaçkitjes së popullit, Khamenei duhet t’i shtojë edhe masat shtypëse. Mesazhi kryesor që i jepet publikut me vendimin e Khamenei-t për ta nxjerrë fitues Raisi-n nga kutitë e votimit është gatishmëria e regjimit për ta shtuar shtypjen. Ekzekutimi në masë i 6 të burgosurve ditët e fundit dëshmon për vendimin e Khamenei-t për ta shtuar shtypjen.

Por shtimi i shtypjes dhe plaçkitja e pasurisë së popullit vetëm sa do ta shtojë edhe më shumë trazimin e shoqërisë.

“Nuk mund të gënjejmë veten; populli është i pakënaqur. Problemi nuk është vetëm ekonomik. Njerëzit e kanë toleruar këtë situatë. Nuk mund ta mbajmë të kënaqur popullin me varfëri. Fatkeqësisht, njerëzit mezi arrijnë të sigurojnë kujdes mjekësor apo ilaçe. Problemet e popullit nuk janë të lidhura vetëm me jetesën. Ata janë vërtet të zemëruar,” paralajmëroi të dielën e përditshmja shtetërore Mostaghel.